Hoxhë Emrim Koçi.
Profeti i dëshpëruar i Sodomës dhe Gomorres, i cili e thirri në udhëzim popullin e tij amoral dhe të pabindur deri në momentin e fundit.
Luti (a.s.), është i biri i Hara-s, të vëllait të Ibrahimit (a.s.). Emri i tij përmendet njëzeteshtatë herë, në vende të ndryshme në Kuran. Luti (a.s.), ishte personi i parë që e ndoqi Ibrahimin (a.s.) dhe që pati nderin të emigronte së bashku me të në rrugë të Allahut. Ai ndoqi ligjet (sheriatin) e Ibrahimit (a.s.), kryente shumë adhurime, ishte bujar, durimtar, i devotshëm dhe shumë mikpritës. Ai merrej me bujqësi dhe e siguronte jetesën me duart e veta.
Luti (a.s.), për të marrë përvojë në lidhje me ftesën e njerëzve në fe, doli nga Iraku së bashku me Ibrahimin (a.s.), për të vizituar Sirinë, Palestinën dhe Egjiptin. Më vonë, u dërgua nga Allahu i Madhëruar si profet për të udhëzuar popullin gjynahqar të Sodomit, me të cilët kishte edhe lidhje farefisnie.
Lidhur me popullin ku u dërgua Luti (a.s.), Allahu i Lartë urdhëron:
“Sigurisht, edhe Luti ka qenë njëri prej të dërguarve.” (Saffat, 133)
“Lutit i dhamë urtësi dhe dituri, dhe e shpëtuam prej vendbanimit ku bëheshin vepra të liga. Ata ishin vërtet njerëz të këqij e të mbrapshtë. Lutin e pranuam në mëshirën Tonë. Me të vërtetë, ai është prej të mirëve.” (Enbija, 74-75)
“Po ashtu, udhëzuam edhe Ismailin, Eljesain, Junusin dhe Lutin; secilin prej tyre e ngritëm mbi të gjithë njerëzit.” (En’am, 86)
Pasi u ngarkua me detyrën e profetit, Luti (a.s.), filloi të ftojë popullin e Sodomit në fenë e Allahut. Ai i ftoi ata të adhuronin Allahun dhe të linin poshtërsitë në të cilat ishin zhytur.
Populli i Sodomit
Ky popull, ka jetuar në një vend midis bregut lindor të Jordanisë, Irakut dhe Palestinës. Populli i Sodomit ishte një popull i harbuar, i cili kryente çdolloj imoraliteti. Ata e kishin bërë si profesion kryerjen e imoraliteteve më të shëmtuara. Ndërsa njerëzve me moral të mirë, të cilët kërkonin t’i pengonin nga këto imoralitete, ua mbyllnin gojën dhe u thoshin:
“Të pastrit të largohen prej nesh!”
Në këtë popull, turpi, nderi dhe namusi ishin harruar prej kohësh. Tek ta ishte shfaqur një poshtërsi e tillë, e cila nuk vërehet as tek kafshët. Për rrjedhojë, ata merituan me plot gojën shprehjen, e cila përdoret në Kuranin Fisnik: “Belhum edall”[1], pra edhe më poshtë se kafshët.
Ja pra, Luti (a.s.), ishte ngarkuar të ftonte në rrugë të drejtë një popull të tillë fatzi. Ai përpiqej natë e ditë t’u hapte sytë, me qëllim që të kuptonin të vërtetën.
“Kujto kur vëllai i tyre – Luti, u tha: «Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut? Pa dyshim, unë jam i dërguar i besuar për ju, andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua! Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve. Vallë, ju, nga e gjitha bota, u qaseni meshkujve e i lini mënjanë gratë tuaja, të cilat Zoti juaj i ka krijuar bashkëshorte për ju?! Njëmend, ju jeni popull që kaloni çdo kufi të së keqes.»” (Shuara, 161-166)
Populli i Sodomit e përgënjeshtroi Lutin (a.s.) dhe nuk iu përgjigj ftesës së tij. Pas kësaj, Luti (a.s.), ua bëri të qartë atyre gjendjen e frikshme të imoralitetit të tyre, duke u thënë:
“…«Përse bëni paturpësi të tilla që askush nuk i ka bërë në botë?»” (A’raf, 80)
Më pas, i paralajmëroi ata se punët e këqija që po bënin, do t’i çonin në shkatërrim. Mirëpo, populli i Sodomit, i cili nuk kishte ndërmend të hiqte dorë nga paturpësitë e veta, u përpoq ta dëbonte Lutin (a.s.) nga vendi, duke u tallur me të. Lidhur me këtë, në Kuran, urdhërohet:
“Përgjigjja e popullit të tij ishte: «Dëbojini ata nga vendbanimi juaj! Ata janë njerëz që duan të mbahen të dëlirë.»” (A’raf, 82)
Jetesa e thjeshtë, e pastër, e ndershme dhe e virtytshme, konsiderohej krim për këtë popull imoral e të harbuar. Për shkak se ushqimin shpirtëror të tyre e merrnin nga fëlliqësitë, ata ndiheshin të shqetësuar prej njerëzve të pastër dhe e kërcënonin Lutin (a.s.), duke i thënë:
“…«Nëse nuk tërhiqesh nga këto, o Lut, me siguri do të jesh i dëbuar.»” (Shuara, 167)
Mirëpo, Luti (a.s.), ua kujtoi përsëri atyre ndëshkimin e Zotit:
“Në fakt, Luti i paralajmëroi ata për fuqinë e dënimit Tonë, por ata i vunë në dyshim paralajmërimet.” (Kamer, 36)
Por, për shkak se ata nuk e konceptuan dot tmerrin e ndëshkimit hyjnor, ata nuk arritën ta kuptonin dot as kërcënimin hyjnor! Për rrjedhojë, me një guxim të paturpshëm, ata iu përgjigjën:
“…«Na e sill dënimin e Allahut, nëse thua të vërtetën!»” (Ankebut, 29)
Gurët e pjekur që ranë prej lart dhe zëri i tmerrshëm
Luti (a.s.), pa se populli i Sodomit, jo vetëm që s’e çau kokën për ndëshkimin hyjnor, por, me kërkimin e tij, e tejkaloi teprimin dhe e meritoi plotësisht ndëshkimin e madh! Luti (a.s.), u mbështet te Zoti dhe kërkoi ndihmë prej Tij:
“O Zoti im, më shpëto mua dhe familjen time nga ajo që bëjnë ata!” (Shuara, 169)
“Ai tha: «O Zoti im, më ndihmo kundër popullit që bën mbrapshti!»” (Ankebut, 30)
Për Lutin (a.s.), kjo lutje ishte zgjidhja e fundit. Allahu (xh.xh), dërgoi melekët për ta shkatërruar popullin ku Luti (a.s.), ishte dërguar si profet. Mirëpo, ky popull i azdisur deshën t’u varen edhe këtyre melekëve që erdhën në trajtë djemsh. Kjo ndodhi tregohet kështu në Kuran:
“Kur Lutit i erdhën të dërguarit Tanë, Ai u hidhërua, ndjeu një shtrëngim në shpirtin e tij dhe tha: «Kjo është ditë e rëndë!»” (Hud, 77)
Kur Luti (a.s.), pa djemtë e rinj që kishin ardhur, kujtoi se ata ishin njerëz dhe u frikësua se mos populli do t’i përdhunonte, sepse siç thonë edhe ajetet 80 dhe 81 të sures “A’raf”, në popullin e devijuar të Lutit (a.s.), ishte i përhapur shumë homoseksualizmi.
“Populli i tij, që më parë pat punuar vepra të këqija, u vërsul drejt atij. (Luti) tha: «O populli im, këto janë bijat e mia. Ato për ju janë më të pastra, e frikësojuni Allahut dhe mos më turpëroni para mysafirëve të mi. A nuk ka midis jush një njeri me mend?»” (Hud, 78)
Mirëpo sodomasit, të cilëve u ishin errur sytë, thanë:
“…«Ti e di se ne nuk kemi të drejtë për bijat e tua. Në të vërtetë, ti e di se ç’duam ne.»” (Hud, 79)
Mirëpo, Luti (a.s.), u thotë:
“…«Sikur unë të kisha fuqi (që t’ju dëboj) ose të mbështetesha në ndonjë krah të fuqishëm!»” (Hud, 80)
Ndërkohë, melekët morën fjalën dhe i thanë Lutit (a.s.):
“… «O Lut! Ne jemi të dërguarit e Zotit tënd. Ata nuk mund të të bëjnë ty asgjë e pra, nisu ti me familjen tënde në orët e vona të natës dhe askush prej jush të mos këqyrë prapa, përveç gruas sate. Atë do ta godasë ajo që do t’i gjejë edhe ata. Afati i tyre është agimi i ditës. Vallë, a nuk është afër agimi i ditës?!»
Kur erdhi urdhri Ynë, Ne e përmbysëm çdo gjë, – ato që ishin lart, i kthyem poshtë dhe mbi ata lëshuam gurë nga balta e pjekur, duke rënë vazhdimisht, si shiu. (Ato ishin gurë) të shënuar te Zoti yt. Dënimi nuk është larg nga keqbërësit.” (Hud, 81-83)
Ardhja e këtij ndëshkimi hyjnor përshkruhet me detaje në ajetet 58-74 të sures “Hixhr”. Aty, tregohet se shkatërrimi i popullit të Lutit (a.s.), filloi me një zë të tmerrshëm në të lindur të diellit dhe më pas vazhdoi me rënien e gurëve të pjekur nga qielli. (shih. el-Hixhr, 73, 74.)
Pasi tregon për shkatërrimin e këtij populli të pamoralshëm, Allahu i Madhëruar na paralajmëron me këto fjalë:
“Këto janë njëmend shenja bindëse për ata, që i kuptojnë ato. Qyteti i rrënuar është në rrugë, ku gjendet edhe tani!” (Hixhr, 75-76)
Për shkak se populli i Lutit (a.s.), ishte zhytur në mëkatin e ndyrë të homoseksualizmit, në fillim Allahu i Lartë i tronditi ata me një zë të tmerrshëm, pastaj ua ktheu përmbys vendbanimin dhe u lëshoi gurë nga sipër. Nuk mund të ketë një mënyrë më fatkeqe se kjo për ta fshirë një popull nga historia!
Në ajetin 35 të sures “Ankebut”, lidhur me shkatërrimin e këtij populli të pamoralshëm, njoftohemi se pas tyre janë lënë një sërë gjurmësh, me qëllim që të shërbejnë si mësim për popujt pasardhës.
“Dhe tashmë Ne e kemi lënë atë një shenjë të dukshme për njerëzit që kuptojnë.” (Ankebut, 35)
Kjo shenjë që përmendet në ajet, shpjegohet se janë rrëfimet për ato që i kanë ndodhur popullit të shkatërruar, gërmadhat e vendbanimeve të shkatërruara, gurët e rënë nga qielli dhe lumenj me ujë të zi.
Gratë dhe fëmijët e Lutit (a.s.)
Kur Luti (a.s.), u ngarkua me detyrën e profecisë, kishte një grua me emrin Fevat, e cila e besoi. Fatkeqësisht, ajo vdiq njëzet vjet më pas. Pas vdekjes së saj, Luti (a.s.), u martua me një grua sodomase të quajtur Vahile. Por Vahilja doli të ishte një grua dyfytyrëshe, e cila s’e hapte fare gojën përballë mohimit dhe punëve të ndyra të popullit të tyre. Për më tepër, ajo e mbështeste popullin e saj pa dijeninë e Lutit (a.s.).
Një mbrëmje, kur melekët e ngarkuar me shkatërrimin e popullit, të cilët erdhën në shtëpinë e tyre në trajtë djemsh të pashëm, Vahilja shkoi menjëherë dhe e lajmëroi popullin fshehurazi, duke e tradhtuar Lutin (a.s.). Për rrjedhojë, edhe ajo u shkatërrua së bashku me popullin imoral.
Luti (a.s.), kishte dy vajza, të cilat e kishin pranuar profecinë e babait të tyre dhe kishin besuar. Kur populli i Lutit (a.s.), u shkatërrua, ato dolën nga Sodomi dhe shpëtuan bashkë me të atin dhe besimtarët e tjerë. Më pas, së bashku me të atin e tyre, shkuan pranë Ibrahimit (a.s.), i cili i martoi me dy besimtarë prej fisit të vet.
Veprat e këqija dhe shkaqet e shkatërrimit të popullit të Lutit (a.s.)
- Adhurimi i idhujve
- Homoseksualizmi
Në një hadith, të përcjellë prej Ibn Abbasit (r.a.), thuhet se Profeti ynë (a.s.), ka përsëritur tre herë:
“Kush bën punën e popullit të Lutit, ai është i mallkuar!” (Ahmed b. Hanbel, Musned, I, 317.)
Përveç kësaj, në një hadith tjetër, është urdhëruar:
“Nëse shihni se dikush bën punën e ndyrë të popullit të Lutit, vriteni edhe atë që e bën, edhe atë që i bëhet!..” (Tirmidhi, Hudud, 24/1456; Edu Daud, Hudud, 28/4462.)
Sipas një transmetimi tjetër, Profeti ynë (a.s.), tregon për gjendjen e keqe në të cilën do të bien në Ditën e Kiametit ata që e veprojnë këtë vepër të shëmtuar:
“Ai prej popullit tim, i cili vdes duke bërë punën e popullit të Lutit, (në Ditën e Kiametit) Allahu do ta transferojë pranë popullit të Lutit dhe do ta ringjallë bashkë me ta.” (Sujuti, Xhamiu’s-Sagir, II, 181.)
Lidhur me këtë çështje, Malik bin Dinar thotë:
“Në asnjërin prej popujve të kaluar nuk është dëgjuar të veprohet homoseksualizëm. Kjo vepër e shëmtuar, për herë të parë është parë tek populli i Lutit (a.s.). Dhe këtë punë, atyre ua mësoi shejtani. Kur njerëzit kryen këtë punë që është kundër natyrës së tyre, u përfshinë nga ndëshkimi hyjnor!
Allahu i Madhëruar, ia ka dhënë epshin njeriut për shtimin dhe vazhdimin e brezit. Përdorimi i epshit me indiferentizëm, jashtë qëllimit dhe urtësisë së dhënies së tij, rrjedh prej injorancës dhe perversitetit të njeriut, e cila s’është gjë tjetër veçse nëpërkëmbje e nderit dhe dinjitetit të njeriut dhe rënie në një nivel më të ulët se kafshët!”
- Vrasja shoqëruar me dhunim homoseksual. Imoralët e popullit të Lutit (a.s.), kur donin ta vrisnin dikë, urdhëronin të përdhunohej një herë pastaj të ekzekutohej.
- Sodomasit, punët e tyre të turpshme i kryenin haptazi. Kurse njerëzit e ndershëm e të turpshëm i fyenin. Ata patën rënë aq poshtë, sa edhe nxjerrjen e gazrave e përdornin si një mjet dëfrimi.
- Ata u prisnin rrugën të tjerëve, duke marrë disa gurë dhe duke u ulur në anë të rrugës. Kur dikush kalonte andej, ata e gjuanin me gurë dhe talleshin ta.
- Atyre u pëlqente të përgojonin dhe të merreshin me thashetheme.
- Atyre nuk u pëlqente të jepnin lëmoshë dhe ishin shumë koprracë.
*
Me qëllim që të nxirret mësim prej shkatërrimit të popullit të Lutit (a.s.), Allahu i Madhëruar urdhëron kështu:
“Dhe tashmë Ne e kemi lënë atë një shenjë të dukshme për njerëzit që kuptojnë.” (Ankebut, 35)
Në këtë ajet flitet për faktin që gërmadhat e popujve të shkatërruar janë lënë si argumente mësimdhënëse për njerëzit.
Argumentet e qarta që bart Deti i Vdekur, janë me të vërtetë shumë interesante. Aq sa ngjarjet e përjetuara përreth tij, të tërheqin vëmendjen edhe veçoritë gjeologjike të truallit të tij. Niveli i Detit të Vdekur është katërqind metra nën nivelin e Detit Mesdhe. Po ashtu, edhe thellësia më e madhe e tij është katërqind metra. Domethënë se trualli i tij ndodhet tetëqind metra nën nivelin e Detit Mesdhe. Pra, duket sikur edhe trualli i këtij deti flet për rënien poshtë të atij populli.
Një tjetër veçori e Detit të Vdekur, është kripësia e tij e lartë, rreth 30%. Prandaj aty nuk jetojnë as peshq dhe as bimë. Për këtë arsye, është quajtur edhe “Deti i Vdekur”. Pra, fakti që në atë mjedis të mallkuar nuk jetojnë as kafshë e as bimë, është një argument më tepër për të marrë mësim.
Mendohet se ngjarjet e rrëfyera në Kuran lidhur me këtë popull të mallkuar, kanë ndodhur aty rreth viteve 1800 para Erës së Re. Në zonën e Sodomit e Gomorres, ku ndodhi shkatërrimi, janë hasur drurë të konservuar, të mbetur që atëherë, për shkak të kripësisë së lartë. Ndërsa gërmadhat e qytetit, si pasojë e ndëshkimit hyjnor, janë fundosur në thellësinë e tokës. Kurse ngjyra e detit është si zift dhe përhap kundërmime të pështira. Duket sikur ky ujë ia shpalos njerëzimit gjynahet e kryera në atë vend me anë të këtyre pamjeve dhe veçorive.
Gjithashtu, një shkatërrim hyjnor i ngjashëm me atë që i ndodhi Sodomës dhe Gomorrës, i ka ndodhur edhe popullit të Pompeit.
– A mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë dhe kuptojnë? Ata nuk janë tjetër, veçse si bagëti. Madje, ata janë edhe më të shmangur nga rruga e drejtë. (Furkan, 44)