Çfarë thotë Kurani për dhikrin, përmendjen e Allahut xh. sh.
Hoxhë Emrim Koçi.
Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.
Thotë Allahu i Madhërishëm, në Kuranin famëlartë: “O besimtarë, më kujtoni Mua, t’ju kujtoj edhe Unë ju, më falënderoni dhe mos më mohoni.” (el-Bekare, 152)
Vëllezër besimtarë;
Dua të flas dy fjalë për përmendjen e Zotit, për përmendjen e emrit të Allahut të Plotfuqishëm me zemrat tona dhe me gjuhën tonë. Njëherë një grup njerëzish të varfër shkuan te Pejgamberi (savs), që t’i kërkonin diçka. Çfarë mund të kërkojë një i varfër?! Ai mund të kërkojë një kafshatë bukë, diçka për të veshur, një vend ku mund të fusë kokën e tij. Por për çudi ata nuk i kërkuan asgjë nga këto, por thanë: “O pejgamber i Zotit, na e kaluan të pasurit në punë të mira. Ata falen siç falemi dhe ne, agjërojnë siç agjërojmë edhe ne, bëjnë punë të mira si ne, por ata kanë pasuri me të cilën japin sadaka, ndërsa ne nuk kemi se çfarë të japim, prandaj ata na e kanë kaluar.”
Pejgamberi (savs) u tha: “Mos mendoni se nuk ka të mira për ju. A t’ju mësoj një sekret, që po ta veproni, do t’ua kaloni pasanikëve nga vëllezërit tuaj?” Ata u përgjigjen: “Posi jo o Pejgamber i Zotit, na e trego atë sekret.”
Pejgamberi (savs) tha: “Thoni pas çdo namazi 33 herë Subhanallah, 33 herë Elhamdulilah dhe 33 herë Allahu ekber. Nëse e bëni rregullisht këtë punë, do t’ua kaloni vëllezërve tuaj.”
Këta njerëz u kthyen të gëzuar me sekretin, që u kishte mësuar Pejgamberi (savs), siç kthehet dikush që ka gjetur një thesar të madh dhe do që ta mbajë vetëm për vete. Por pas disa kohësh këta njerëz kthehen përsëri tek Pejgamberi (savs) dhe i thonë: “O Pejgamber i Zotit, vëllezërit tanë e mësuan sekretin. Tani edhe ata e bëjnë atë dhikër dhe kemi frikë se do të mbetemi pas tyre me sevape.”
Atëherë Pejgamberi (savs) tha: “Ajo është mirësi prej Zotit dhe unë s’mund ta ndal atë, por ju mundohuni t’ua kaloni atyre me këtë gjë (bëni dhikër më shumë se ata).” (Buhariu, 6329; Muslimi, 595, 596)
A e dini se njeriu thotë nga 12.000 deri në 17.000 fjalë në ditë?! Sa përqind të këtyre fjalëve i përdorim për të përmendur Zotin? Ne kalojmë me orë të tëra nëpër kafene, duke bërë muhabete nga më të ndryshmet. Sa e përmendim Zotin në këto biseda? Bëji një llogari të shkurtër vetes tënde. Sa përmendet Zoti në debatet, në fjalimet, në tubimet apo në bisedat që bëjmë me njëri – tjetrin? A e di se vetëm fjalët në të cilat përmendet Zoti, do të kenë kuptim. Pra nga 17.000 fjalë, sa prej tyre e përmendin Zotin: 10, 100, 1000, më shumë apo më pak?! Vallahi kam frikë se shpeshherë as 10 fjalë nuk themi për të përmendur Zotin, sepse shejtani na e ka harruar përmendjen e Zotit, vetja jonë, angazhimi me këtë dynja dhe gjithçka që ka në të, na ka larguar nga përmendja e Zotit.
Na ka rastisur shpesh që në shtëpitë tona, nis muhabeti me fjalë të ëmbla dhe pastaj devijon. Pse kanë kaq shumë probleme njerëzit. Pse vuajnë kaq shumë nga sëmundjet psikike, nga streset, nga mbingarkesa nervore? Sekreti është se nuk përmendet Zoti. Aty ku nuk përmendet Zoti, aty nuk ka harmoni, paqe e qetësi, sepse Allahu i Plotfuqishëm thotë në Kuranin fisnik: “Kush i kthen shpinën përmendjes së emrit Tim, Unë do ta bëj, që ta jetojë jetën e kësaj dynjaje të zymtë.” (Taha, 124)
Mos ia kthe shpinën Zotit dhe përmendjes së Zotit, se vallahi do të vuash. Vetëm zemra e di se çfarë heq, kur nuk përmendet Zoti. Allahu thotë në Kuran: “Ditën e kiametit Unë do ta ringjall atë të verbër. Thotë njeriu: O Zot, pse më ngjalle të verbër, unë kam shikuar në dynja. Thotë (Allahu): Robi Im, a nuk të erdhën ty argumentet e Mia dhe ti i harrove ata. Sot të ringjallim ty të verbër, siç e harrove ti Zotin ashtu të harron edhe Zoti ty sot.” (Taha, 125-126)
Përmendja e Zotit është adhurimi më i bukur dhe më i lehtë. Është i lehtë, sepse Zotin mund ta përmendë i pasuri dhe i varfri. Ky adhurim nuk do para, nuk do mundim fizik. E përmend Zotin ai që po ha bukë, ai që bëhet gati për të fjetur, ai që po nget makinën, ai që po ecën i vetëm. Përmendja e Zotit është një adhurim, që nuk do shpenzim energjish.
Nga ana tjetër është adhurimi më i bukur, sepse ka shpërblimin më të madh. Vallahi ky adhurim e ka shpërblimin më të madh. Njëherë Pejgamberi (savs) u tha shokëve të tij: “A e dini se keni një adhurim shumë të bukur, por që ju e harroni. Vallahi është më i vlefshëm sesa dikush prej jush të japë florinj në rrugë të Zotit, është më i madh se lufta në rrugë të Zotit.” Shokët e tij e pyetën: “Cili është ky adhurim o Pejgamber i Zotit?” Pejgamberi (savs) tha: “Ta përmendësh Allahun e Madhërishëm.” (Ahmedi 6/446 dhe Tirmidhiu 3377)
Përmende Zotin pa pushim, sepse ka vlerë më shumë se sadakaja dhe xhihadi në rrugën e Zotit. Pse e obligoi Allahu i Plotfuqishëm namazin, agjërimin, haxhin dhe leximin e Kuranit? Sepse me këto adhurime përmendet Zoti dhe nuk ka më mirë, se kur ti e ndjen veten afër Zotit.
Kush e përmend Allahun e Madhërishëm, le ta dijë se atë e përmend vetë Zoti i gjithësisë. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Unë jam për robin, ashtu siç mendon ai për Mua. Nëse ai më kujton në veten e tij, edhe Unë e kujtoj në Veten Time. Nëse robi më përmend në një kuvend, Unë e kujtoj në kuvende më të mira se të atij.” (Buhariu, 7405, Muslimi 2675)
Nëse njeriu e përmend Zotin qoftë edhe në fund të ujit, ajo përmendje shkon tek Allahu i Plotfuqishëm.
Junusi (a.s.) ishte pejgamber i Zotit. Ai e pa veten në fund të detit, në barkun e balenës, për një gabim që ai bëri. Por në këto momente e kuptoi gabimin e tij dhe tha dy fjalë: “I lartësuar je Ti o Zoti im, unë i bëra padrejtësi vetes time.” Kur po i thoshte këto fjalë, melekët i thoshin Zotit: “O Zoti ynë! Ne po dëgjojmë një zë të njohur nga një vend i panjohur.” Melekët nuk e kuptonin se nga vinte zëri. Allahu i Plotfuqishëm u thotë: “Është zëri i robit Tim, Junusit. Ai po përmend emrin Tim, prandaj nxirreni prej andej.” (Sad, 41) Pastaj Zoti e urdhëroi balenën, që ta nxjerrë Junusin në breg të detit.
Ndonjëherë e ndjejmë zemrën të ngurtë në vetet tona. Tamam sikur dikush të ketë vënë një gur në vend të zemrës dhe të rëndohet kraharori. Kjo ndodh, sepse nuk përmendet Zoti. Allahu i Plotfuqishëm thotë në Kuranin fisnik: “Me përmendjen e Zotit qetësohen zemrat.” (err-Rrad, 28). Është tamam si toka, që plasaritet dhe vetëm uji e mbledh atë dhe i jep jetë. Kështu ndodh edhe me zemrën e njeriut. Vjen një moment që ajo bëhet si hekur apo si gur. Nëse ndodh diçka e tillë, dije se ajo zemër nuk e ka përmendur Zotin. Allahu i Plotfuqishëm duhet përmendur shpesh.
Njëherë dikush i tha Pejgamberit (savs): “O Pejgamber i Zotit, adhurimet janë shtuar shumë e nuk mund t’i bëj dot të gjitha, por më trego për një punë, që po ta bëj, do ta ndjej veten mirë.” Pejgamberi (savs) i tha: “Mbaje gjuhën të njomë nga përmendja e Zotit.” (Tirmidhiu 3375, dhe Ibni Maxhe 3793)
Njeriu ndjen kënaqësi nga pasuria apo nga fëmija i tij. Por betohem në Zot, se nuk ka kënaqësi më të madhe sesa ajo e përmendjes së Zotit, me kusht që ta ndjesh atë që po thua. Duhet ta mundosh veten shumë, derisa të arrish që ta përjetosh dhikrin e Zotit. Nëse e arrin këtë, dije se ke arritur kulmin e kënaqësisë. Ekziston një thënie bukur: “Nëse e përmend Zotin, nuk mërzitesh dhe nëse mërzitesh, nuk e ke përmendur aq sa duhet.”
Ka pasur njerëz që kanë pasur aq shumë pasuri, sa askush nuk krahasohej me ta. Sulejmani (a.s.) pati pushtetin e njerëzve, xhinëve, kafshëve, erës dhe ujit, por ai nuk e krahasonte atë kurrë me përmendjen e Zotit. Thonë që njëherë një bujk pa ushtrinë e Sulejmanit (a.s.). Ai hapi sytë dhe tha: “La ilahe il-lallah, sa e madhe qenka pasuria jote o Sulejman.” Sulejmani (a.s.) iu afrua dhe i tha: “O njeri i mirë, mos u mashtro prej kësaj. Vallahi sikur njëherë të thuash “Subhanallah”, kjo është më e madhe se gjithë ushtria ime. E gjithë ushtria do të ikë një ditë dhe do të mbetet vetëm fjala SUBHANALLAH.
Prandaj besimtarët, që e përjetonin dhikrin (përmendjen) e Zotit, thoshin: “Sikur ta dinin mbretërit, se çfarë kemi në zemrat tona, do të mundoheshin të na e marrin qoftë edhe duke na hapur kraharorët tanë me shpatat e tyre.” Ky është efekti i përmendjes së Zotit, i qetësisë që gjen njeriu kur rri duke përmendur Allahun e Plotfuqishëm.
Do përmend shumë shkurt disa hadithe, që tregojnë vlerën e përmendjes se Zotit dhe gabimin e madh që bëjmë, kur nuk e përmendim Zotin.
– Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kush thotë gjithmonë “ESTAGFIRULLAH” (duke e ndjerë këtë fjalë), Zoti do t’ia zgjidhë çdo hall dhe do ta furnizojë atje ku nuk ia pret mendja.” (Ebu Davudi 1518, dhe Ibni Maxhe 3819)
– Pejgamberi (savs) ka thënë në një hadith tjetër: “Kush thotë SUBHANALLAHI VE BIHAMDIHI 100 herë, Zoti do t’ia shlyejë mëkatet atij njeriu, edhe sikur të jenë sa shkuma e detit.” (Buhari 6405 dhe Muslimi 2691) Provoje se sa kohë të merr thënia e kësaj fjale. Jo më tepër se dy minuta. Nëse e thua me gjithë zemër, t’i fshin Zoti mëkatet, edhe sikur të ishin sa shkuma e detit dhe kjo ndodh në harkun kohor të dy minutave. A e shikon se çfarë tregtie e madhe është, të cilën për fat të keq e humbasin shumë njerëz?!
– Pejgamberi (savs) ka thënë: “Fjala më e mirë që kam thënë unë dhe të gjithë pejgamberët e tjerë para meje është fjala: LA ILAHE IL-LALLAH. (Tirmidhiu 3583) Besimi vjetrohet në zemrat tuaja, prandaj ripërtërijeni atë me fjalën LA ILAHE IL-LALLAH.” (Ahmedi 2/ 359)
– Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kush thotë ELHADULIL-LAH, i mbushet peshorja e tij.” (Muslimi, 232)
– Gjithashtu Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kush thotë 100 herë LA ILAHE IL-LALLAHU VAHDEHU LA SHERIKE LEH, LEHUL MULKU VE LEHUL HAMDU VE HUVE ATA KUL-LI SHEJ’IN KADIR, është sikur të ketë liruar 10 rober, t’i jenë fshirë 100 të këqija. Pasha Zotin atë njeri nuk e gjen e keqja prej shejtanit nga mëngjesi deri në mbrëmje dhe nuk ka njeri më të mirë se ai, përveç atij që e ka thënë këtë fjalë më shpesh.” (Buhariu 3293 dhe Muslimi 2691) Kjo është përmendja e Allahut të Madhërishëm.
Le ta përmendim Zotin tonë, kur jemi mirë dhe kur jemi keq, kur jemi të gëzuar dhe kur jemi të mërzitur. A e ke provuar ndonjëherë ta përmendësh Zotin kur je i nevrikosur?! A të ka ndodhur që të gjendesh i vetëm e të mos dish se çfarë të bësh?! Mos mendo kurrë se ke kohë të lirë dhe nuk di si ta shfrytëzosh, por përmende Zotin se do ta ndjesh kënaqësinë e besimit tënd. Përmende njëherë Allahun e Plotfuqishëm dhe le të rrjedhin lot sytë e tu për Zotin e gjithësisë, sepse ai sy që loton për Zotin, atë sy nuk e prek kurrë zjarri i xhehenemit.
Përmende Zotin kur ta veshësh një rrobë, përmende Zotin kur të hash, kur të ngrihesh nga ushqimi, kur të dalësh nga shtëpia, kur të futesh në shtëpi, apo kur të nisesh për udhëtim. Përmende Zotin në çdo situatë. Nëse je afër Zotit, Ai do të të mbajë gjithmonë afër dhe nuk humbet as në këtë jetë as në jetën tjetër.
Vallahi fjalët për dhikrin e Zotit nuk kanë fund. Ne mund të justifikohemi duke thënë: “Vallahi nuk di t’i them arabisht.” Dikush tjetër mund të thotë: “Vallahi jam i zënë me punë tjera.” Por ta dini mirë, se kush e do diçka, e gjen atë, qoftë edhe nën tokë.
Nëse nuk ke mundësi ta përmendesh Zotin në çdo hap të jetës tënde, mos harro ta përmendesh Zotin kur fal namaz, përmende Atë në shtëpinë e Tij, në xhami. A nuk e keni vënë re një fenomen të pahijshëm, që për fat të keq është përhapur tek besimtarët?! Mbaron namazi dhe të gjithë turren kush e kush të dalë jashtë xhamisë. A mos ka ndonjë gjë me kaq shumë vlerë, që të gjithë garojnë se kush të dalë më parë nga xhamia?! A mos ka xhevahire, margaritarë, pasuri, kënaqësi jashtë xhamisë, të cilat presin të parin që del nga xhamia për t’i dhënë ato?! Kënaqësia është në xhami, por kjo do durim, duhet ta mundesh veten. Në fillim do ta kesh vështirë të thuash 33 herë SUBHANALLAH, por nëse mund veten një herë, dy apo tre herë vetëm për 5 minuta, do fillosh ta shijosh në zemër ëmbëlsinë e përmendjes së Zotit. Nëse ke punë, dil dhe përmende Zotin gjatë rrugës, por mos bëj zhurmë kur del jashtë xhamisë. Nëse ti nuk e përmend dot Zotin në xhami, apo të duket se nuk ke nevojë ta përmendesh Zotin, atëherë të paktën lëre vëllain tënd ta përmend Zotin.
Kur të jesh vetëm, mundohu ta përmendësh Zotin. E di që është e vështirë, por duhet ta luftosh shejtanin në këto momente. Nëse arrin ta përmendësh Zotin në vetmi dhe të të rrjedhin sytë lot, dije se je një nga 7 grupet, që do të jenë nën hijen e Arshit të Zotit, atë ditë kur dielli do të afrohet një milje mbi kokat e njerëzve dhe nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Arshit të Zotit.
E lus Zotin e gjithësisë me cilësitë e Tij më të larta dhe me emrat e Tij më të bukur, që të na ndihmojë të gjithëve, ta përmendim Atë. E lusim Zotin t’i mbushë zemrat tona me përmendjen e emrit të Tij, t’i zbusë zemrat tona me emrat e Tij të bukur. Zoti i bëftë shtëpitë tona, vende ku përmendet Zoti i gjithësisë. Zoti na mundësoftë që ta mbyllim jetën tonë me fjalën LA ILAHE IL-LALLAH MUHAMEDUN RESULULLAH. E LUS Allahun e Plotfuqishëm t’i falë gabimet tona, neglizhencën tonë dhe t’i mbushë zemrat tona me përkujtimin e Tij. Allahu na ndihmoftë që ta përmendim Atë kur jemi në këmbë, kur jemi ulur apo kur jemi shtrirë. E lus Zotin që të na bëjë ne shkak për triumfin e Islamit. Allahu na faltë ne, fëmijët tanë, prindërit tanë, të gjithë muslimanët kudo që janë. Allahu na mundësoftë që jetën ta jetojmë si muslimanë, shpirtin ta japim si besimtarë dhe të na ringjallë bashkë me Pejgamberin (savs). Amin!
Ndiq Hutben ne Youtube: