Pendimi (teubeh)
Njeriu kur pendohet, me këtë bën një kthesë në jetën e tij. Nga jeta në mëkate, kthehet tek Allahu që ta kalojë jetën ashtu siç ka kërkuar prej tij. Pendimi dhe kthimi tek Allahu është obligim me të cilin Ai e ka obliguar çdo njeri, në veçanti çdo besimtar. Allahu thotë: “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” Nur 31. Dhe: “O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë…” Tahrim 8. Ka ardhur në hadith: “Ai që pendohet nga mëkati është sikur mos të ketë mëkat.” Pendimi është prej shkaqeve më të forta për shlyerjen e mëkateve, nuk ka shkak më të madh për këtë sesa ai. Pendimi është arsyeja që Allahu e fal edhe shirkun e kufrin, mëkatin më të madh në këtë botë. Allahu ka premtuar në këtë ajet: “O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj…” Tahrim 8.
Kërcënimi për një mëkat të caktuar, që ka ardhur në Kuran e sunet, se Allahu për të dënon, mallkon, apo se ka për të ndonjë dispozitë ndëshkuese në këtë botë, vlen nëse nuk realizohet pendimi, e nëse realizohet pendimi, me lejen e Allahut, ky kërcënim e humbet efektin e vet dhe Ai nuk e realizon atë. Allahu thotë: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet.” Zumer 53. Dijetarët thonë se “i fal të gjitha gjynahet” nëse personi pendohet, dhe kështu Allahu nuk e realizon kërcënimin (me dënim) e lidhur për një mëkat nëse ai mëkat është shoqëruar dhe pasuar me pendim.
Kushtet e pendimit:
–Sinqeriteti, braktisja e mëkatit vetëm për Allahun, e jo se nuk ke shëndet për ta kryer mëkatin, apo mundësi financiare, apo se nuk po joshesh më nga ai mëkat. Nëse braktiset për këto arsye të tjera, kjo nuk është pendim edhe pse e ke lënë mëkatin, ngase nuk e ke lënë për Allahun, por për shkak të pamundësisë për ta realizuar. Kushti i parë i pendimit është kur personi e lë mëkatin sinqerisht vetëm për Allahun.
—Braktisja e mëkatit, pas sinqeritetit pason ajo se mëkati duhet të braktiset patjetër. Nuk ka mundësi të bashkohet pendimi dhe vazhdimësia në mëkat. Këto dy gjëra janë të kundërta.
–Keqardhja. Ka ardhur në hadith: “Keqardhja është pendim.” Ndjenja e keqardhjes që po i bën mëkat Allahut, kjo është faza e parë e pendimit.
–Vendosmëria në moskthim në mëkat. Pasi e ke lënë mëkatin duke pasur sinqeritet e keqardhje, të vendosë të mos i kthehet më.
–Kthimi i së drejtës. Këto kushte janë për pendimin ndaj mëkatit që është mes njeriut dhe Allahut, e nëse mëkati është ndaj një personi, dijetarët shtojnë kushtin e pestë: kthimi i së drejtës. E drejta ndaj njerëzve është tri lloje: e drejta e jetës, e drejta e pasurisë dhe e drejta e nderit. Për t’u realizuar pendimi dhe të pranohet tek Allahu, atëherë nëse mëkati ka të bëjë me njeriun, p.sh.: dikush e ka vrarë dikë, atëherë ai nuk e ka realizuar pendimin derisa të dorëzohet para autoriteteve shtetërore (nëse ka sheriat), që të shikohet se çfarë vendosë familja e të vrarit për të, falje apo kërkim me dënim. Nëse mëkati ka të bëjë me pasurinë e tjetrit, nuk plotësohet pendimi derisa të kthehet te personi që i takon ajo pasuri e marrë padrejtësisht, nëse pasuria ende është ashtu siç e ka marrë kthehet e nëse jo atëherë kompensohet në vlerë të saj. E nëse nuk e di se kujt ia ka marrë, apo janë disa persona të cilëve ua ka marrë duke mos pasur mundësi t’ua kthejë, atëherë dijetarët thonë se mjafton dhënia lëmoshë e saj në atë vlerë, me nijetin që t’iu shkojë atyre shpërblimi. Nëse mëkati ndaj njeriut ka të bëjë me cenimin e nderit të tij, si: e ka akuzuar, përgojuar, fyer, rënduar etj., këtu dijetarët janë ndarë në dy mendime: a) disa thonë se duhet ta informosh se ia ke bërë këtë e të kërkosh falje prej tij, b) disa thonë, e ky është mendimi më i sakti, se nuk ke nevojë të shkosh te personi që ta informosh se ia ka bërë këtë, ngase kjo gjë në shumicën e rasteve nuk kryen punë, por ka mundësi ta rrisë problemin. Mjafton të bësh lutje për atë të cilit ia ke cenuar nderin, ta përmendësh me të mirë aty ku e përgojuar, kjo që të mundohesh të shlyesh mëkatin (që ke bërë ndaj tij) me lutje dhe vepra të mira.
Dr. Gazmend Mehmeti – Transkriptim.