Shirku (t’i shoqërosh Allahut dikë apo diçka në adhurim)
Shirku është sëmundja më e rëndë dhe më e rrezikshme. Ilaçi i saj është teuhidi. Shirku është mëkati më i madh. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në një hadith është pyetur se cili është mëkati më i madh dhe është përgjigjur: “Mëkati më i madh është t’i shoqërosh Allahut dikë tjetër si të barabartë përderisa Ai është i Cili të ka krijuar.” Shirku është sëmundja më e rrezikshme për zemrën kjo sepse: vepruesi i shirkut është njeriu më i keq tek Allahu, është më i papastri në brendësinë e tij, më i padrejti (me padrejtësinë më të madhe), është i privuar prej Faljes së Allahut nëse vdes idhujtar, e ka të ndaluar hyrjen në xhenet dhe do të jetë përherë në xhehenem nëse vdes idhujtar, do të jetë i privuar prej shefatit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem nëse vdes idhujtar, do t’i asgjësohen të gjitha veprat në Ditën e Gjykimit (nuk ka shpërblim për to) dhe do të dënohet në shkallën më të ulët të poshtërimit. Për këtë, Allahu dhe i Dërguari na kanë paralajmëruar vazhdimisht ndaj shirkut, si: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim)” Nisa 36, “Mos vër të adhuruar tjetër me Allahun, se do të mbetesh i poshtëruar dhe i braktisur!” Isra 22. Hadith: “Kush e takon Allahun (Ditën e Gjykimit) duke mos i shoqëruar asgjë në adhurim, do të hyjë në xhenet dhe kush e takon Allahun duke i shoqëruar diçka në adhurim, do të hyjë në zjarr.”
Shirku është dy lloje:
–Shirku i madh. Ai e vdes zemrën, nxjerr nga feja dhe vepruesi i tij do të jetë përherë në zjarr, si: ai që e lut dikë tjetër krahas Allahut etj.
–Shirku i vogël. Edhe ai e sëmurë zemrën, vepruesi nuk del nga feja, mirëpo ai është në një rrezik të madh. Shembuj të tij janë syefaqësia, betimi në emër të dikujt tjetër përveç Allahut etj.
Ilaçi dhe shërimi i sëmundjes së shirkut është teuhidi (njësimi dhe veçimi i Allahut në adhurim), “Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” Kehf 110. Teuhidi i cili është ilaçi më i madh për zemrën ndahet në tri lloje:
–Teuhidi rububije – të veçosh Allahun në veprat e Tij (në krijim, sundim dhe drejtimin e universit, se ato i takojnë vetëm Allahut).
–Teuhidi uluhije – të veçosh Allahun me adhurimet që bën (të besosh se nuk ka të adhuruar tjetër meritor përveç Allahut dhe se vetëm Atij i takojnë adhurimet).
–Teuhidi esma we sifat – të veçosh Allahun në emrat dhe cilësitë e Tij (kjo duke i pohuar ato dhe duke mohuar përngjasimin/shëmbëllimin).
Kush e pastron zemrën prej shirkut dhe e përmirëson me teuhid do të vjelë fryte e dobi të mrekullueshme në të dy botët, prej tyre:
♦ Do të ketë jetë të bukur në dunja dhe do të ketë siguri në të dy botët, “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur…” Nahl 97. Dhe: “Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” Enam 82.
♦ Do t’i japë Allahu fitore dhe lavdi në tokë, “Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që frikën do t’ua shndërrojë në siguri.” Nur 55.
♦ Do t’i rëndohen peshoret e veprave të mira në Ditën e Gjykimit, “Peshimi (i veprave), atë ditë do të jetë i drejtë. Ata që u rëndon peshorja me vepra të mira, do të jenë të shpëtuar…” Araf 8. Nuk ka gjë që rëndon më shumë në peshore sesa teuhidi.
♦ Do ta fitojë xhenetin dhe do të shpëtojë prej xhehenemit, “Me të vërtetë, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të kenë për banesa kopshtet e Firdeusit, ku do të qëndrojnë përherë, duke mos dëshiruar asnjë ndryshim.” Kehf 107-108.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.