Vlera e tahmidit
(Thënia elhamdulilah- الحَمْدُ ِلله)
Prej Emrave të bukur e madhështor të Allahut është “El Hamid”, që do të thotë: I Lavdëruari. Ky Emër përmendet në Kuran në më shumë se 15 vende. Pra, Allahu është i Lavdëruar në Veten/Qenien e Tij, në Emrat dhe Cilësitë e Tij dhe për veprat e Tij. Ai është meritor për thurjen e çdo Lavdate dhe Lavdërimi, si dhe e meriton të gjithë Dashurinë prej nesh. Kjo sepse Ai është i cilësuar me atribute që tregojnë se Ai është i Lavdëruar, atribute të cilat tregojnë për Bukurinë dhe Madhështinë e Allahut, po ashtu sepse meriton çdo hamd për shkak të mirësive, bamirësisë dhe dhuntive që ua ka dhënë robërve të Tij, të panumërta, dhe Ai sillet me ta në mënyrën më të mirë dhe më të bukur, Mëshira, Dashuria, Mirësia e Butësia e Tij përfshin të gjitha krijesat e Tij, po ashtu për shkak se Ai u përgjigjet lutjeve të nevojtarëve, ua largon brengat të brengosurve, u ndihmon atyre që ndodhen në fatkeqësi, si dhe për faktin se Ai fillimisht u jep dhunti e mirësi robërve të Tij pa i kërkuar ata. Ai është i Lavdëruar në çdo gjendje dhe rrethanë.
Çdo gjë me të cilën Allahu cilësohet, përmendet, me të cilën flitet, janë lëvdata, lavdërime për Të, andaj duhet ta lartësojmë duke thur Lëvdata për Të. Porse, askush prej krijesave nuk ka mundësi të mbledhë të gjitha Lëvdatat ashtu siç e meriton Ai. Ai është mbi Lëvdatat dhe Lavdërimet që robërit e Tij i thurin për Të. E pa dyshim se prej mirësive më madhështore prej Allahut për robërit e Tij është udhëzimi i tyre drejt rrugës që i çon në Xhenet dhe se Ai i ka ruajtur dhe mbrojtur më së miri për të mos rënë në mëkate, ua ka zbukuruar dhe ua ka bërë të dashur besimin në zemrat e tyre, si dhe ua ka bërë të urryer mobesimin, mosbindjen e mëkatet.
Allahu i do lëvdatat dhe hamdet që thuren për Të dhe e do atë që e bën hamd Atë për mirësitë që ia ka dhënë. Ai e do atë njeri i cili qoftë nëse ha një kafshatë apo pi pak ujë thotë elhamdulilah. Allahu është Shekur – Falënderues i Madh. Nëse njeriu e bën hamd Atë, Ai kënaqet me të dhe e falënderon për këtë. Të gjitha këto janë prej Allahut: mirësitë që t’i ka dhënë, mundësia e falënderimit ndaj Allahut për to dhe kënaqësia e Dashuria e Tij ndaj teje kur ti e falënderon Atë. Andaj, ne kurrë nuk mundemi ta falënderojmë Atë siç e meriton Ai, ngase çdo falënderim është mirësi prej Tij i cili kërkon falënderim tjetër, kjo pafundësisht. E megjithëkëtë Allahu nuk është nevojtar për falënderimin tonë, porse Ai do që ne ta falënderojmë Atë sepse me këtë përmirësohemi vetë ne dhe e arrijmë shpëtimin tonë.
Tahmidi në ajetet kuranore
Allahu e ka përmendur hamdin në më shumë se 40 vende në Kuran. Allahu, Kuranin fisnik e ka filluar me fjalën “Elhamdulil-lah”. Thotë: “Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve…” Fatiha 1. Po ashtu, me të i ka filluar edhe disa sure të tjera (Enam, Kehf, Sebe, Fatir). Krijimin e Tij, Allahu e ka filluar me hamd. Thotë: “Qoftë lavdëruar Allahu që krijoi qiejt dhe Tokën dhe bëri errësirën dhe dritën.” Enam 1. Dhe do ta përmbyllë krijimin me hamd. Thotë: “Do t’i shohësh engjëjt të tubuar rreth Fronit, duke lavdëruar me falënderim Zotin e tyre. Njerëzimi do të gjykohet me drejtësi dhe të gjithë do të thonë: “Falënderimi qoftë për Allahun, Zotin e botëve!” Zumer 75. Atij i takon hamdi fillim e mbarim, në këtë botë dhe në botën tjetër, për ato që i ka krijuar, që i krijon dhe që do t’i krijojë.
Allahu e ka lavdëruar Veten në fillim dhe në fund të krijimit, kur ka urdhëruar dhe ligjësuar, kur ka treguar se Atij i takon Zotërimi e kujdesi për universin, kur ka treguar se vetëm Ai duhet të njësohet me adhurim, kur ka treguar se është e pamundur që Allahut t’i atribuohet dhe veshët diçka që nuk i shkon madhërisë së Tij (si: t’i përshkruhet fëmijë, apo ortak, apo ndihmëtar prej krijesave), kur ka treguar për Madhështinë dhe Lartësinë e Tij.
Tahmidi në hadithet profetike
Edhe suneti profetik është i mbushur me argumente që tregojnë për vlerën e hamdit dhe pozitën madhështore të tij, si dhe që na tregojnë për mirësitë e shumta që vijnë si rezultat i hamdit, në këtë botë dhe në tjetrën. Do të përmendim disa hadithe të tilla.
- Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është ai i cili do ta mbartë flamurin e hamdit në Ditën e Gjykimit. Ai ka thënë: “Unë do të jem zotëria i bijve të Ademit (i njerëzve) në ditën e Gjykimit dhe nuk lavdërohem për këtë. Në dorën time do të jetë flamuri i hamdit dhe nuk lavdërohem për këtë. Nuk ka asnjë Pejgamber atë Ditë, veçse do të jenë nën flamurin tim. Unë do të jem i pari që do të ndërmjetësoj dhe i pari që do t’i pranohet ndërmjetësimi, dhe nuk lavdërohem për këtë.” Imam Ahmedi, Tirmidhiu, ibn Maxheh. Përderisa ai ishte krijesa që e lavdëroi dhe e falënderoi në mënyrën më të plotë Allahun, atëherë Allahu do t’ia japë flamurin e hamdit në atë Ditë. Nën të do të mblidhen dhe qëndrojnë të gjithë ata që e kanë bërë hamd Allahun. Njerëzit që më së shumti do t’i afrohen këtij flamuri, do të jenë ata që e kanë falënderuar më së shumti Allahun dhe që i kanë kryer urdhrat e Tij. Umeti islam është umeti më i mirë, i cili e bën hamd Allahun në vështirësi dhe mirëqenie. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Të parët që do të thirren për të hyrë në xhenet janë ata që e kanë bërë hamd Allahun shumë. Janë ata që e bëjnë hamd Atë kur janë në gëzim dhe në fatkeqësi e sprovë.”
- Në xhenet është një shtëpi e quajtur “bejtul hamd (shtëpia e falënderimit)”. Me të Allahu i veçon ata që e bëjnë hamd Atë kur janë në mirëqenie dhe vështirësi, si dhe ata që tregohen të durueshëm ndaj Caktimit të hidhur. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur dikujt prej njerëzve i vdes fëmija, Allahu i pyet engjëjt: “A ia morët shpirtin fëmijës së robit Tim?” Thonë: “Po.” Thotë Allahu: “A ia morët frytin e zemrës së tij?” Thonë: “Po.” Thotë Allahu: “Çfarë tha robi im?” Thonë: “Të falënderoi dhe tha: “Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.” Thotë Allahu: “Ndërtojani robit Tim një shtëpi në xhenet dhe emërtojeni “shtëpia e falënderimit!” Ky e ka bërë hamd Allahun në fatkeqësi, përmes këtij hamdi e ka arritur këtë pozitë kaq të lartë në xhenet. Secilit nga ne i lind pyetja se si të arrij të jem falënderues ndaj Allahut, si të arrij këtë nivel. Ibën Tejmije rahimehullah përgjigjet më së miri. Ai thotë: “Që njeriu ta lavdërojë dhe falënderojë Allahun gjatë fatkeqësive, janë dy shkaqe që e shtyjnë në këtë: 1. Të dijë me bindje se Allahu e meriton hamdin (Allahu çdo gjë e ka krijuar në mënyrën e plotë e të përsosur, çdo gjë që e vepron, e vepron me një urtësi të plotë). 2. Të dijë me bindje se zgjedhja e Allahut për robin e Tij (për një gjë që t’i ndodhë) është më e mirë sesa zgjedhja e tij për veten e tij. Në çdo gjë që Allahu e cakton për robin e Tij besimtar, ai ose do të tregohet i durueshëm nëse ajo është fatkeqësi, ose do të jetë falënderues nëse është mirësi. Kjo është pa dyshim më mirë për të në të dy gjendjet.”
- Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Dhikri më i mirë është La ilahe ilAllah dhe lutja më e vlefshme është fjala Elhamdulilah.” Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh. Thotë Allahu: “Ndërsa duaja e fundit do të jetë El-Hamdulil-lahi Rabbil Alemin (Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Zotin e gjithë botëve).” Junus 10. Ibn Kajjim rahimehullah thotë: “Lutja është dy lloje: lutja e kërkesës dhe e adhurimit (kur me adhurimin që e kryen ndaj Allahut, e lut dhe kërkon prej Tij, si: ta fusë në xhenet, ta ruajë nga xhehenemi, ta shpërblejë etj.). Andaj ai që e falënderon/lavdëron Allahun, e lut Atë me këto dy lloje të lutjes (njëkohësisht edhe e lavdëron edhe kërkon prej Tij). Ky është ai i cili e bën lutjen siç duhet.”
- Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Fjala Elhamdulilah e mbush peshoren (e veprave të mira) Ditën e Gjykimit. Ndërsa fjala SubhanAllah uelhamdulilah mbushë hapësirën mes qiellit dhe tokës.”
Vendet ku konfirmohet hamdi
Kërkohet nga njeriu që ta bëjë hamd Allahun në çdo kohë dhe ta shpeshtojë atë, ngase ai çdo herë vërtitet nëpër mirësitë e Allahut. Janë disa gjendje e rrethana të veçanta në të cilat bërja e hamdit është e konfirmuar (me hadithe të sakta) më shumë sesa në gjendje të tjera. Është e pëlqyer të falënderohet Allahu pas ushqimit dhe pijes, në fillim të namazit, pas rukusë në namaz, në fillim të hytbes, ligjëratave, shkresave, librave, letrave, pasi veshim një rrobë të re, kur na vjen një mirësi, kur ta largon Allahu një gjë të urryer (qoftë nëse na ka ndodhur neve, apo të afërmve, apo miqve, apo myslimanëve në përgjithësi), pas teshtimës, kur sheh dikë që ka të meta fizike apo sëmundje, kur je gëzueshëm, i sëmurë, në vështirësi e mirësi. Këto ishin disa rrethana në të cilat është më e konfirmuar të bëhet hamd Allahu.
Lavdërimi ndaj Allahut për dhuntitë e Tij
Shkaku kryesor i cili na shtynë dhe detyron për ta bërë hamd Allahun është dituria dhe njohuria rreth Emrave e Cilësive të Tij. Kemi dy lloje të hamdit ndaj Allahut: a) Hamdi për shkak të mirësive e dhuntive të shumta që ua ka dhënë robërve të Tij, b) hamdi për shkak se Ai e meriton atë nga robërit e Tij për Cilësitë e Përkryera e Madhështore, Atij i përkasin Emrat e bukur dhe Cilësitë e Madhështore. Allahu thotë: “Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju! A ka ndonjë krijues, veç Allahut, i cili ju furnizon nga qielli dhe Toka?” Fatir 3. Dhe thotë: “A nuk shihni se si Allahu jua ka bërë të mundur t’i shfrytëzoni të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë dhe ju ka mbuluar me dhuntitë e Tij të dukshme e të padukshme?” Lukman 20. Dhe thotë: “Çdo mirësi që keni, është nga Allahu.” Nahl 53. Dhe thotë: “Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot.” Ibrahim 34. Për çdo mirësi, sa do e vogël që është, na detyron ta falënderojmë dhe lavdërojmë Allahun që na ka dhënë.
Nga dhuntitë e Allahut dhënë robërve të Tij janë: udhëzimi në rrugën e drejtë, xheneti, dërgimi i Pejgamberëve (për t’i thirrur njerëzit drejt udhëzimit e xhenetit), lehtësimi i shkaqeve dhe rrugëve drejt xhenetit, shpërblimet të shumëfishta, falja e mëkateve, fshirja e mëkateve me pasimin e veprave të mira; edhe urdhrat, ndalesat e obligimet Allahut për njerëzit janë mëshirë e bamirësi prej Tij (përmes tyre ruhen nga e keqja); zgjerimi i rrugëve të dijes, tregimi i shkaqeve që çojnë në Kënaqësinë e Tij dhe i atyre që largojnë nga zemërimi e hidhërimi i Tij, lehtësimi i fesë; po ashtu Mëshira, Butësia, Dashuria e Tij ndaj krijesave, përgjigja e lutjeve të nevojtarëve, largimi i brengave dhe shqetësimeve ndaj atyre që janë në vështirësi, dhënia e mirësive pa i kërkuar njerëzit, mbrojtja e krijesave prej sprovave dhe fatkeqësive dhe largimi i tyre (nëse janë goditur me to) dhe të tjera (që janë pa llogari).
Lavdërimi ndaj Allahut është dhuntia më e madhe
Pejgamberi salAllahu alehi ue selem kur është ngritur prej rukusë në namaz ka thënë: “O Zoti ynë vetëm Ty të takon Lavdërimi, i cili mbush qiejt e tokën dhe ato hapësira që dëshiron Ti pas kësaj. Ty të takon Lavdia dhe Madhështia. Kjo është më e drejta që e ka thënë njeriu. Të gjithë ne jemi robër të Tu. Nuk ka mundësi dikush ta ndalojë atë që Ti e jep, as nuk ka mundësi dikush ta japë atë që Ti e ndalon. Pasuria dhe pozita e njeriut nuk bën dobi tek Ti (dobi bëjnë veprat e mira).”
Të qenit mirënjohës ndaj Allahut është dhunti madhështore, që kërkon prej nesh detyrimisht falënderim të ri. Hamdi është mirësia më e vlefshme që Allahu ua ka dhënë robërve të Tij, ajo është më madhështore sesa mirësitë e kësaj bote: shëndeti, furnizimi i gjerë, shpëtimi prej të këqijave etj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Sa herë që Allahu ia jep robit të Tij një mirësi dhe ai thotë elhamdulilah, ajo që e ka dhënë (falënderimi) është më e mirë sesa ajo që e ka marrë (mirësia).” Ibn Maxheh.
Nëse Allahu ia mundëson dikujt ta bëjë hamd Atë për një mirësi që ia ka dhënë, kjo është më mirë sesa dhënia e asaj mirësie. Ibn Rexheb rahimehullah rreth asaj se si ka mundësi që vepra e njeriut të jetë më e mirë sesa Vepra e Zotit, është përgjigjur: “Qëllimi me mirësitë (për të cilat njeriu tregohet falënderues) janë të kësaj bote, si: shpëtimi prej të këqijave, furnizimi, shëndeti etj. Falënderimi ndaj Allahut është prej mirësive fetare. Të dyja këto janë dhunti prej Allahut. Mirëpo, udhëzimi i njeriut prej Allahut për ta falënderuar Atë ndaj mirësive, kjo është shumë më e vlefshme për të sesa ato mirësi të kësaj dynjaje që ia ka dhënë, ngase nëse nuk pason mirënjohja dhe falënderimi prej njeriut për mirësitë e kësaj bote, atëherë ato janë/shndërrohen në fatkeqësi për të. Çdo mirësi e dhunti që nuk të afron tek Allahu dije se ajo është sprovë/fatkeqësi për ty. Nëse Allahu i jep sukses dikujt që të jetë mirënjohës e falënderues ndaj Tij për mirësitë e dunjasë, kjo është shumë më e mirë sesa ato dhunti që ia ka dhënë dhe kjo është më e dashur tek Allahu sesa ato mirësi, ngase Allahu i do dhe i pëlqen shumë lëvdatat prej robërve të Tij. Andaj, Allahu është shumë i kënaqur kur njeriu për një kafshate që e ha dhe për një gllënjkë ujë që e pi thotë elhamdulilah… Allahu u jep robërve të Tij prej mirësive të Tij, megjithatë kërkon nga ne lavdërim dhe falënderim ndaj Tij për to. Ai është shumë i kënaqur kur ata janë falënderues e mirënjohës për to, edhe pse e gjithë kjo që përmendëm më lartë është prej mirësive të Tij (mirësitë ndaj tyre dhe falënderimi i tyre). Dhe Allahu nuk është nevojtar për këtë, mirëpo këtë e kërkon nga ta dhe e do, ngase në këtë falënderim e lavdërim prej robërve ndaj Allahut, është përmirësimi i tyre, shpëtimi dhe përsosmëria e tyre si njerëz. Gjithashtu këtu duhet të përmendet se prej Mirësisë më të madhe prej Allahut për robërit e Tij është falënderimi që e bëjnë ndaj Tij. Megjithatë prej mirësisë së Tij ndaj tyre, këtë falënderim ua atribuon atyre, e llogaritë si vepër të tyre edhe pse Ai ua ka dhënë. Kjo është ngjashëm sikur dhënia e pasurisë të cilën Allahu ua ka dhënë robërve të Tij. Mirëpo, pasi ua ka dhënë, kërkon prej tyre huazim, që përmes saj ata t’i ndihmojnë të varfrit, nevojtarët. Këtë e quan huazim sepse ua kthen me shpërblim. Përveç kësaj, Ai i lavdëron ata për këtë shpenzim (pra, u ka dhënë pasuri, i shpërblen për shpenzimin, i lavdëron ata për këtë shpenzim), edhe pse të gjitha këto janë nën sundimin e Allahut, pra pasuria, mundësia që robi ka për të dhuruar, inspirimi për shpenzimin në ndihmën ndaj të tjerëve, dhe të gjitha janë mirësi prej Tij. Për shkak se Ai është shumë Bujar, si rezultat, bujaria e Tij i kërkon këto gjëra.”[1]
Ibn Kajjim rahimehullah thotë: “Mirësia e të qenit falënderues ndaj Allahut është shumë më madhështore sesa mirësia e pasurisë, pozitës, fëmijëve, gruas etj.”
Format më të vlefshme të hamdit
Do të përmendim një formë e cila është e përhapur në mesin e disa muslimanëve duke u njohur si forma më e mirë e lavdërimit dhe falënderimit ndaj Allahut, e cila është: “I bëjmë hamd Allahut, hamd i cili plotëson mirësitë e dhuntitë e Allahut dhe është i barabartë me mirësitë dhe dhuntitë shtesë që na jep Ai!” Ata kanë menduar se kjo është forma më e vlefshme e hamdit ndaj Allahut. Ibn Kajjim e refuzon këtë formë dhe thotë: “Nëse kthehemi e vrojtojmë se si Allahu e ka bërë hamd Vetën e Tij në Kuran, se si Pejgamberi salAllahu alehi ue selem e ka bërë hamd në sunet dhe si e kanë lavdëruar shokët e tij salAllahu alejhi ue selem, atëherë shohim se në asnjërin prej atyre hamdeve nuk e hasim këtë formë. ” Kjo formë e hamdit është e dobët sa i përket transmetimit[2]. Sikur kjo formë të ishte më e plota, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk do ta kishte lënë pa e vepruar apo pa e thënë. Edhe nga aspekti kuptimor është i papranueshëm, sepse njeriu nuk ka mundësi ta falënderojë Allahun me hamd aq të madh përmes të cilit barazon me një prej mirësive më të vogla që ia ka dhënë Ai, e mos të flasim që ta bëjë hamd për të gjitha ato mirësi të panumërta që ia ka dhënë. E pastaj si ka mundësi ta lavdërojë Allahun me hamd i cili është shtesë, që përmbushë dhe barazon edhe mirësitë e tjera që ia ka dhënë Allahu?! Ibn Tejmije rahimehullah: “Kur krijesa ta bën një të mirë, mundesh në formë të barabartë t’ia kompensosh. Ajo (e mirë) pas një kohe ndërpritet, nuk është e vazhdueshme. Mirëpo, duhet të dish se Allahun nuk ke mundësi ta falënderosh për mirësitë që t’i ka dhënë, deri në atë masë sa të barazohesh me Të përmes falënderimit.”
Prej formave të hamdit të përmendura në Kuran është “E gjithë Lavdia dhe falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.” Surja Fatiha. Prej sunetit përmendim: “Elhamdulil-lehi Hamdeen kethiraan tajjibeen mubeerakeen fiih kemee juhibbu rabbunee we jerda. (E gjithë Lavdia dhe falënderimi i takon Allahut, Atë e falënderojmë me hamd që është i shumtë, i sinqertë dhe i bekuar ashtu siç dëshiron Ai dhe është i kënaqur Ai.”[3] Kemi përmendur forma të falënderimit (prej Kuranit e sunetit) në mësimet e mësipërme.
Dallimi mes hamdit dhe shukrit
Ibn Tejmije rahimehullah thotë: “Hamd është thurja e lëvdatave ndaj atij që e lavdëron duke ia përmendur të mirat e bamirësitë e tij apo cilësitë e tij të mira, qoftë nëse të ka bërë mirë apo jo. Shukri (falënderimi) është vetëm atëherë kur personi të cilit i është bërë mirë, e falënderon bamirësin. Nga ky aspekt kuptojmë se hamdi është më i përgjithshëm sesa shukri, ngase njeriu e bën hamd Allahun për të gjitha Cilësitë e Tij të mira, mirëpo edhe për të mirat që ia ka dhënë. Ndërsa, shukri është falënderimi ndaj Allahut vetëm për të mirat që ia ka dhënë njeriut. Kështu që, shukri nga ky aspekt është me i veçantë sesa hamdi. Shukri behët me tri gjëra: me zemër, gjuhë dhe gjymtyrë, kurse hamdi bëhet vetëm me zemër dhe gjuhë. Hamdi është më i përgjithshëm nëse shikojmë shkakun pse e bëjmë hamd Allahun. Ndërsa shukri është më i përgjithshëm sesa hamdi sa i përket gjërave me të cilat kryhet (me zemër, gjuhë dhe gjymtyrë).”
Hamdi dhe shukri bëhen bashkë sa i përket gjuhës, kur ne e falënderojmë me gjuhë për një të mirë. Kjo quhet edhe hamd edhe shukër. Mirëpo, lavdërimi i Allahut duke përmendur Emrat dhe Cilësitë e Tij quhet hamd (kjo nuk quhet shukër).
Shukri ka dallim prej hamdit në atë kur njeriu një mirësi prej Allahut e përdorë në adhurim e bindje ndaj Tij (kjo nuk quhet hamd, por quhet shukër), si: forcën fizike, të folurit, dëgjimin, shikimin etj.
Nëse lavdërimin ndaj Allahut, kur i përmendim Emrat dhe Cilësitë e Tij, e bëjmë me dashuri e madhërim ndaj Tij, kjo është hamd. Me këtë lloj te hamdit veçohet vetëm Allahu dhe nuk lejohet askush tjetër të lavdërohet në këtë mënyrë. Nëse është veç fjalë e gjuhës, pa ndje në zemër dashuri e madhërim, kjo nuk quhet hamd, por thjesht është lavdërim (med’h).
Vlera e falënderimit (shukrit)
Allahu në Kuran na urdhëron me falënderim. Thotë: “…falënderoni për mirësitë e Allahut, nëse vërtet e adhuroni Atë.” Nahl 114; dhe Bekare 152, dhe Ankebut 17. Falënderimin Allahu e ka përmendur krahas besimit dhe ka treguar se Ai nuk ka ndonjë qëllim për t’i dënuar dhe ndëshkuar njerëzit nëse ata e besojnë dhe e falënderojnë Atë. Thotë: “Përse t’ju ndëshkojë Allahu, nëse ju e falënderoni dhe e besoni?!” Nisa 147. Po ashtu na ka treguar se ata që e falënderojnë Atë do të kenë hisen me të madhe në mirësitë dhe begatitë e Tij (Enam 53).
Allahu e ka kushtëzuar me falënderim shtimin e mirësive dhe dhuntive të Tij. Kur vjen shtimi, ai nuk ka kufi, ashtu siç nuk ka kufi dhe falënderimi (Ibrahim 7). Disa dijetarë kanë thënë: “Kurdo që sheh se nuk po të shtohen mirësitë e Allahut, ktheju falënderimit ndaj Tij!” Po ashtu na ka treguar se Allahun e adhurojnë vetëm ata që janë falënderues dhe mirënjohës.
Porosia apo urdhri i parë që Allahu ia jep njeriut, pasi ai fillon të logjikojë, është falënderimi ndaj Allahut dhe ndaj prindërve të tij: “Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu!” Lukman 14. Shumë prej shpërblimeve, Allahu i ka kushtëzuar me Dëshirën e Tij, mirëpo sa i përket falënderimit, Ai e ka lënë të lirë, atij që është mirënjohës ndaj Tij Ai i jep, e shpërblen.
Falënderimi ndaj Allahut është rruga të cilën e kanë ndjekur Pejgamberët, krijesat më të veçanta. Muhamedi salAllahu alejhi ue selem ka qenë ai i cili më së miri dhe më së shumti e ka falënderuar Allahun për mirësitë e begatitë e Tij. Ai siç e ka njësuar Allahun me adhurimin e Tij dhe i ka thirr të tjerët drejt Tij, po ashtu dhe e ka falënderuar Atë në mënyrën më të mirë, më të plotë.
Realiteti i falënderimit
Ibn Kajjim rahimehullah thotë: “Falënderim është pranimi i mirësisë së Bamirësit (Allahut), me dashuri, me përulje e nënshtrim ndaj Tij. Nga kjo, themi se ai i cili nuk e pranon dhe nuk e njeh dhuntinë e mirësinë, nuk e ka falënderuar Allahun për to. Ai që e pranon dhe e di se është mirësi që i ka ardhur, porse nuk e njeh dhe nuk e pranon se i ka ardhur nga Allahu, as ky nuk llogaritet si falënderues ndaj asaj mirësie. Ai që e njeh mirësinë dhe e di se i ka ardhur prej Allahut, mirëpo e mohon këtë, ky e ka mohuar atë dhunti të Tij. Ai që e njeh mirësinë dhe e di se Allahu është Ai që ia ka dhuruar Atë, e pranon si dhe nuk e mohon atë, porse nuk tregohet i përulur ndaj Allahut dhe ajo nuk ia shton dashurinë e kënaqësinë ndaj Tij dhe për Të, as ky nuk e ka falënderuar Atë për atë mirësi. Ndërsa, ai që e njeh mirësinë dhe e di se ajo i ka ardhur prej Allahut, e pranon me zemër dhe tregohet i përulur ndaj Tij, e do dhe është i kënaqur me Të, si dhe e përdorë në ato gjëra që i do Allahu dhe në bindje ndaj Tij, ky e ka falënderuar Allahun për atë mirësi.” Tarikul hixhratejn.
Nga kjo kuptojmë se falënderimi ngritët mbi pesë shtylla:
- Përulja ndaj te Falënderuarit (Allahut),
- Shtimi i dashurisë ndaj Allahut për shkak të mirësisë,
- Njohja dhe pranimi se ajo mirësi është nga Allahu,
- Lavdërimi ndaj Allahut për atë mirësi,
- Përdorimi i mirësisë në gjëra që i do Allahu (e jo në ato që nuk i do).
Ne përgjithësi shohim se falënderimi duhet të bëhet me zemër, me gjuhë dhe me gjymtyrë. Ibn Kajjim thotë: “Me zemër bëhet duke treguar përulje e nënshtrim për shkak të mirësive që t’i ka dhënë. Me gjuhë bëhet kur e lavdëron për to dhe i pranon (i përmend). Me gjymtyrë bëhet kur ato mirësi i shfrytëzon në bindjen ndaj Allahut.”
Të qenit mirënjohës e falënderues ndaj Allahut për mirësitë e Tij, kjo është detyrë për çdo mysliman. Kur ne veprojmë kështu, kjo është rrugë përmes se cilës ato mirësi do të vazhdojnë, nuk ndërpriten dhe do të shtohen. Kushdo që nuk e falënderon Allahun për mirësitë e Tij, kjo është shkak që ato të largohen prej tij. Dijetarët e mëhershëm kanë thënë: “Çdo falënderim sado i paktë që është, është çmim për dhuntitë e mirësitë e Allahut që t’i ka dhënë, sado të shumta që janë ato. Nëse njeriu nuk e falënderon Allahun, ai i ka ekspozuar mirësitë e tij para shkatërrimit (marrjes).” Disa të tjerë kanë thënë: “Falënderimi është litar i cili i lidh dhe i mban mirësitë që ke, dhe është litar me të cilin i gjahton mirësitë që nuk i ke.” Disa të tjerë kanë thënë: “Mohimi i mirësive të Allahut, i shkatërron ato dhe kjo është rrugë që të ikin prej teje.”
[1] Libri mbi komentimin e dyzetë haditheve të imam Neveviut.
[2] Ata që përmendin këtë formë janë argumentuar me një ether që transmetohet nga Ebi Nasr et Temar, i cili nuk është i saktë. Ibn Kajjim rahimehullah e ka refuzuar shumë ashpër atë dhe ka treguar se nuk është transmetuar në asnjë prej librave me hadithe të saktë (që njihen si sahih, sunene, musned).
الْحَمْدُ لِلَّهِ حَمْدًا كَثِيرًا طَيِّبًا مُبَارَكًا فِيهِ كَمَا يُحِبُّ رَبُّنَا وَيَرْضَى[3]
Hoxhë Lulzim Perçuku – Shkëputje nga libri “Ëmbëlsia e dhikrit” – Transkriptim.